Dega e LDK-së në Junik edhe një herë ka ngritur zërin për gjendjen e keqe të infrastrukturës së rrugëve lokale dhe projektet e tjera në Junik.

Përmes një komunikate për media, ata thonë se qytetarët po ballafaqohen çdo ditë me një degradim të projekteve të realizuara në këto vitet e fundit nga qeverisja e AAK-së në komunën e Junikut, e udhëhequr nga kryetari Agron Kuqi, transmeton Indeksonline.

“Për këtë gjendje të keqe më së miri tregojnë fotografitë dhe faktet të rrugëve lokale dhe projektit të shtratit të lumit Erenik. Projekte të cilat kanë pësuar nga mosplanifikimi dhe menaxhimi i duhur, sikurse keqshpenzimini dhe keqpërdorimi i parasë publike në projektet kapitale”, thuhet në këtë komunikatë.

Sipas tyre keqqeverisja është reflektuar dukshëm edhe në shpenzimet e buxhetit për nëntë mujorin e këtij viti i pasqyruar në raportin financiar.

“Aty tregohet gjendja e keqe e kësaj qeverisje, ku të HYRAT vetanake të realizuara janë rreth: 61 mijë euro. Ndërsa SHPENZIMET e realizuara për telefon, dreka zyrtare, naftë për automjete, udhëtime jashtë vendit, riparime të automjeteve, rrymë dhe dënime për konteste gjyqësore janë rreth 81 mijë euro. Shpenzime këto të cilat janë në jopërputhshmëri me të hyrat vetanake”, thuhet më tej në komunikatë.

Sipas degës së LDK-së në Junik, edhe për kundër faktit se kryetari i komunës ka premtuar qytetarëve qeverisje të mirë dhe transparente, ai është fokusuar në instalimin e klientelizmit dhe familjarizimit në të gjitha institucionet komunale, si në: arsim, shëndetësi dhe në administratën komunale, ku ka mbetur peng i këtyre kategorive.

Dega e LDK-së në Junik edhe një here i bën thirrje kryetarit që të adresoj kërkesat e qytetarëve dhe të mos i keqpërdor asetet komunale për nevojat personale gjatë orarit dhe pas orarit të punës. Thuhet në deklaratën e degës së LDK-së në Junik./Indeksonline